Sipas BBC pjesëtarë të grupi mercenar Wagner po pretendojnë se e kanë fituar kontrollin e bazës ushtarake edhe në qytetin tjetër rus, Voronezh. Më herët gjatë ditës, ky grup mercenar rus ka pretenduar se e ka fituar edhe kontrollin e qytetit në jug të Rusisë, Rostov-on-Don.
“Lufta civile ka filluar zyrtarisht”, shkruhet në një mesazh të publikuar në një prej profileve Telegram të Wagner, grupi mercenar i drejtuar nga Yevgeny Prygozhin. Mesazhi i referohet sulmit të pësuar nga një autokolonë kompanie në rajonin rus të Voronezh.
Sipas BBC-së në Voronezh ka shpërthyer një zjarr i madh në një depo të naftës. Guvernatori rajonal, Alexander Gusev ka thënë se 100 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët. Voronezhi është në mes të qytetit Rostov-on-Don dhe kryeqytetit të Rusisë, Moskës.
Grupi mercenar rus Wagner, i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin pretendon se ka pushtuar objektet ushtarake në qytetin e Rusisë, Rostov-on-Don dhe se do të marshojë drejt Moskës me 25 mijë burrat nën komandën e tij për të ndëshkuar ministrin Shoigu në një kryengritje të armatosur. Ndërkohë i kërkon ushtrisë ruse të mos bënte rezistencë: “Ky nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha ai.
Pas pretendimeve të grupit mercenar rus, Wagner se e ka marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don, guvernatori i rajonit, Vasiliy Golubev, ka paralajmëruar kundër katastrofës së luftës civile.
“Kanë qenë disa kohë në historinë e Rusisë kur disa kanë dashur të ndajnë shoqërinë tonë dhe të nxisin flakë të luftës civile… kjo ka çuar në katastrofë. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Rajoni i Rostovit është me presidentin. Të dashur qytetarë, ne duhet të jemi të bashkuar”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka dënuar rebelimin e Wagnerit, duke e quajtur “tradhti” dhe „thikë pas shpine“.
Prigozhin ka bërë thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse – ndonëse e ka mohuar se po synon puç. Pa e përmendur emrin e Prigozhinit, Putin është zotuar për t’i ndëshkuar ata që janë mbrapa rebelimit.
Ai e ka pranuar se situata në Rostov-on-Don – qytet ku janë stacionuar pjesëtarë të Wagnerit – është e vështirë. Në orët e vona të së premtes, Rusia e ka rritur sigurinë në të gjitha aspektet: e ka kufizuar internetin dhe tanket ushtarake janë parë nëpër rrugët e Moskës.
Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë ruse se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë – ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse. Moska ka hedhur poshtë diçka të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.