Keshilla

Vullneti dhe këmbëngulja, dy çelësat e lumturisë së një fëmije

Sot jetojmë në një shoqëri ku arritja e çdo gjëje duket si diçka e lehtë. Aty ku gjithçka duket e përballueshme, dhe ku njerëzit mund të marrin gjithçka që duan vetëm me një klikim të mausit në kompjuter. Aty ku ne kërkojmë shpërblimin e menjëhershëm, por ku flasim pak për gabimin, zhgënjimin apo përpjekjen.

Ky sukses i keqkuptuar, e nxit njeriun të mendojë se ne mund të arrijmë gjëra edhe pa u munduar shumë, dhe se është fati ai që përcakton në analizë të fundit se çfarë është në gjendje të arrijë dikush. Por kur familjet rritin një fëmijë, përpjekja dhe këmbëngulja duhet të bëhen shtylla themelore e edukimit të tyre.

Mësojini se suksesi i tyre në jetë, nuk do të varet nga aftësia e tyre për të grumbulluar dije, por nga aftësia e tyre për të punuar shumë dhe për të mos hequr dorë kur gjërat nisin të ndërlikohen. Dhe vullneti është aftësia për ta përqendruar vëmendjen dhe përpjekjen tonë tek diçka me synim arritjen e një qëllimi.

Zakoni e lejon një njeri të ecë përpara me këmbëngulje kur gjërat vështirësohen, kur një pengesë apo një rezultat i keq e kultivon deri në fund motivimin e tij. Vullneti është një forcë që ju afron me atë që dëshironi, që i mbyt justifikimet dhe ju jep fuqinë të arrini falë punës atë që nuk e keni.

Këmbëngulja siguron stabilitet dhe qëndrueshmëri përballë pengesave, besim në vetvete por edhe tek të tjerët, si dhe doza të mëdha vetëvlerësimi. Që në moshë shumë të vogël, një fëmijë duhet të mësojë të bëjë përpjekje të arrijë atë që dëshiron, sepse gjatë gjithë jetës së tij do t’i duhet të përballet me situata të shumta të pakëndshme dhe të ndërlikuara, të cilat do t’i bëjnë të dyshojnë tek aftësitë e veta.

Një fëmijë që e integron këmbënguljen dhe vullnetin në jetën e tij të përditshme, do të rritet duke ndërtuar një imazh pozitiv për veten, si dhe do të jetë në gjendje të kapërcejë pengesat që do të ndeshë rrugës. Ata do të kërkojnë pa u turpëruar ndihmë sa herë që kanë nevojë, dhe do ta kuptojnë se gabimet janë një pjesë thelbësore e procesit të të mësuarit.

Përkundrazi, një fëmijë që nuk zhvillon këmbënguljen dhe aftësinë për të bërë përpjekjet që kërkohen, do ta ketë të vështirë të tolerojë zhgënjimin, dhe të kuptojë se gabimet janë një pjesë thelbësore e procesit të të mësuarit. Ata do të priren të fajësojnë të tjerët për gabimet e tyre, dhe do të varen nga të rriturit përreth tyre për të marrë atë që duan.

Ata do të jenë fëmijë të pasigurt dhe me pak iniciativë personale. Mësimi i një fëmije për të arritur atë që dëshiron me përkushtim dhe durim, do ta kthejë atë në një person të guximshëm dhe autonom që dëshiron të eksplorojë mjedisin e tij lirshëm dhe pa frikë; i cili dëshiron të marrë vendimet e veta dhe të marrë përgjegjësinë për zgjedhjet që bën.

Nëse prindërit e mbrojnë me tepri fëmijën e tyre, për ta parandaluar atë që të zhgënjehet, ata vetëm sa do ta pengojnë që të fitojë aftësitë e nevojshme për të qenë në gjendje që t’i përballojë me këmbëngulje dhe besim vështirësitë e tyre. Ata do ta kthejnë në një fëmijë të pasigurt, i cili nuk është në gjendje të përballojë problemet që do i dalin përpara.

Hapat kryesore për edukimin e një fëmije mbi rëndësinë e këmbënguljes dhe përpjekjes:

1. Ndihmojeni fëmijën t’i caktojë vetes sfida të vogla ditore që janë të arritshme, që ai t’i përkushtohet vetes pa dyshuar për vlerën dhe punën që do të kryejë. Po ashtu, duhet ta ndihmoni atë të hartojë një program duke planifikuar secilin nga hapat, që do të duhet të ndërmarrin për të arritur atë që propozojnë, dhe duke qenë të vetëdijshëm se gjatë gjithë jetës së tyre do të jenë të detyruar të kapërcejnë shumë pengesa.

2. Bëjini ata të kuptojnë dhe ta pranojnë, se në rrugën e tyre do të bëjnë edhe gabime, dhe se kjo nuk është asgjë e keqe. Të qenit të dhembshur me veten kur hasni pengesa përpara, dhe të mësuarit nga momente të tillë, do t’i mësojë fëmijët se si do të bëjnë gabime gjatë zbatimit të projekteve të tyre.

3. Mësojini fëmijës tuaj që të jetë i durueshëm, dhe të kuptojë se shumë nga ato që duan të arrijmë në jetë, vijnë përmes punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme. Ata duhet të mësojnë ta shtyjnë shpërblimin për më vonë, derisa të kenë përmbushur angazhimet e tyre dhe të mos varen nga rastësia apo pasuria, por nga puna dhe angazhimi. Ata duhet të mësohen ta kuptojnë suksesin si aftësinë për të shijuar jetën e përditshme, por edhe për të qenë mirënjohës për gjithçka të mirë që u ndodh.

4. Tregojini me shembuj konkretë, me fjalë inkurajimi dhe dashurie se jeni pranë tyre, duke i mbështetur pa kushte, dhe pa i gjykuar gabimet e tyre. Ndihmojini ata të menaxhojnë dhe shprehin siç duhet emocionet, të vendosin nën kontroll padurimin dhe pavendosmërinë, dhe të kapërcejnë humorin e keq kur gjërat shkojnë keq.

Këmbëngulja dhe vullneti, janë themeli për ndërtimin e ëndrrave që dëshirojmë. Një fëmijë që është i aftë të përpiqet dhe të punojë për të arritur atë që e emocionon, do të krijojë vendosmëri, kuriozitet dhe optimizëm. Ata do të tregojnë përkushtim pa i zvarritur punët që kanë, dhe pa u justifikuar me fatin e keq apo duke fajësuar të tjerët për pengesat që hasën. Siç e tha dikur fizikani gjerman Albert Einstein: ”Ekziston një forcë lëvizëse më e fuqishme se avulli, energjia elektrike dhe energjia bërthamore: vullneti”.

Burimi: El Pais. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë