Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pret një “ofensivë të re” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se kjo “ofensivë” do të përkojë me ofensivën e forcave ukrainase në luftën kundër Rusisë.
Në një intervistë të dhënë për TV Prva, Vuçiç përsëriti pretendimet se aleatët perëndimorë nuk shqetësohen për të drejtat e serbëve në Kosovë.
Ai tha se të drejtat e tyre po shkelen, se ata “i janë ekspozuar terrorit” dhe se pjesëtarët e komunitetit serb që janë arrestuar në javët e fundit në Kosovë janë të pafajshëm.
Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe. Që nga 29 maji, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës i kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




