Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës këtë të martë është takuar me ambasadorët e vendeve të Quint-it.
“Diskutova për ngjarjet aktuale në veri të Kosovës me ambasadorët e vendeve të Quint dhe theksova se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës çojnë në dhunë kundër komunitetit serb, gjë që na largon nga paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajon. Tërheqja urgjente e kryebashkiakëve të rremë dhe anëtarëve të të ashtuquajturve forcave speciale të policisë së Prishtinës është kusht për ruajtjen e paqes në Kosovë”, shkruan Vuçiç në një postim në rrjetin social Instagram.
Në takim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.
Vuçiç, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.
Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – u përplasën me ushtarë të KFOR-it.
Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.
Protestuesit në këtë komunë, ashtu si edhe në dy të tjera, Zubin Potok dhe Leposaviç, protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Protestat janë duke vazhduar edhe sot.
Mbrëmjen e së hënës, Vuçiç u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




