Politike

Vuçiç: Të shpëtojmë ç’të mundim nga Kosova

“Të shpëtojmë ç’të mundim dhe të humbasim sa më pak. Për këtë po luftojmë kur bëhet fjalë për Kosovën”. Me këtë parim është duke vepruar Beogradi në drejtim të Prishtinës kohët e fundit.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç thotë se Serbia nuk ka se çfarë të humbë më tepër dhe në fund të procesit nuk do të marrë më pak nga sa ka marrë nga Kosova. “Nuk kemi përballë vetëm shqiptarët, por kemi shumë vende të fuqishme Perëndimore që janë pas pavarësisë së Kosovës”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Pink TV.

Presidenti serb pohoi se ka një nervozizëm të madh në Perëndim, Prishtinë por edhe në Beograd dhe iu përgjigj kundërshtarëve politikë në vendin e tij duke u kujtuar të shkuarën.

“Kur ata (opozita) pyeten sot se përse kufiri me Kosovën u vendos në Jarinje dhe Bërnjak, kur nuk ka shqiptarë në veri të Kosovës, ata nuk përgjigjen. Prandaj, sot çdo gjë që të fitojmë do të jetë më shumë se asgjë”, u shpreh ai.

Vuçiç është i vetëdijshëm se Serbia ka shumë kundërshtarë në Perëndim kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës. “Jemi përballë 19 vendeve të fuqishme perëndimore dhe prandaj përpjekjet tona shndërrohen në një mision të pamundur”, vijoi Presidenti serb.

Për humbjen e Kosovës Slobodan Millosheviçin e quan përgjegjës, por fajësinë e gjen në Perëndim.

“19 vendet perëndimore vepruan mbi parimet dhe normat ligjore ndërkombëtare. Unë personalisht nuk jam nga ata që vetëm Slobodan Milosheviç ishte përgjegjës. Ai nuk llogariti mirë pasojat e veprimeve të tij, por nuk është fajtor për agresion. Fajtorë për agresionin janë ata që ndërmorën sulmet ajrore që na çuan tek Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezuluta 1244”, shton ai.

Kleçkën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga pjesa më e madhe e vendeve të OKB-së sot e lidh pikërisht me tekstin e kësaj rezolute.

“Në këtë rezolutë nuk flitet për serbët. Flitet për shqiptarët dhe Republikën Federale të Jugosllavisë, e përbarë nga Serbia dhe Mali i Zi. Në 2006 ne duhet të kishim luftuar dhe të mbështesnim ata që kundërshtonin pavarësinë e Mali të Zi, por në vend të kësaj zgjodhëm që të mos bënim asgjë dhe u mjaftuam me disa deklarata”, deklaron Presidenti serb.

Perëndimin e quan të pasinqertë në marrëdhënie me Serbinë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.

“Na thonin gjithmonë fillimisht do të respektojmë standardet ndërkombëtare, më pas do të diskutojmë për statusin. Por, më pas thanë që në djall të shkojnë standardet, le të vendosim statusin. Pas kësaj, shqiptarët shpallën pavarësinë”, thotë Vuçiç.

Hap të gabuar quan edhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që në fund të procesit e vlerësoi pavarësinë e Kosovës krejtësisht në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Por, Serbia nuk e njeh vendimin dhe e quan atë të njëanshëm e të diktuar.

“Anëtarët e kësaj gjykate përfaqësojnë vendet e tyre, jo veten e tyre”, thotë Presidenti serb.

Ai nuk mohoi se ka propozuar ndryshime kufijsh me Kosovën. “Po përpiqemi që të fitojmë sa më shumë që të mundemi dhe të humbasim sa më pak që të jetë e mundur. Prandaj vendosa që të hap një debat kombëtar për Kosovën, pavarësisht se e dija se çfarë nervozizmi do të sillte kjo temë në Serbi”, thotë Vuçiç.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabic

Beogradi ka shtruar çështjen e ndryshimit të kufijve pasi mendon se rrethanat ndërkombëtare janë në favor të tij në këtë periudhë, sidomos në Uashington. Këtë e konfirmoi edhe Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç.

“Në Uashington administrata e re është e gatshme që të dëgjojë edhe Serbinë për çështjen e Kosovës dhe kjo është një gjë e mirë”, tha ajo në një intervistë për televizionin publik serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë