Kosova

Vuçiç takon Sarrazin: Diskutuam për Asociacionin. Do mbroj interesat e serbëve

Nga Gazeta ‘Si’ - Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka takuar në Beograd të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ai deklaroi se kanë diskutuar për situatën në rajon, marrëveshjet e paplotësuara nga dialogu Beograd-Prishtinë, sigurinë e serbëve në Kosovë dhe formimin e Asociacionit.

“Përsërita se Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal dhe se mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”, tha Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.

Ai deklaroi se biseda e tij me Sarrazin ishte shumë e drejtëpërdrejtë dhe se gjithashtu kanë diskutuar edhe për vazhdimin e rrugës europiane të Serbisë, përfshirjen e Gjermanisë në proceset rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Një ditë më herët, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë