Nga Gazeta ‘Si’ – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog dhe respektim të marrëveshjeve që kanë nënshkruar dhe që kanë rënë dakord.
Në një njoftim për media të lëshuar nga Presidenca e Serbisë po ashtu thuhet se Vuçiç ka ripërsëritur se Serbia dëshiron shtensionim, paqe dhe stabilitet.
Po ashtu në njoftim thuhet se Vuçiç këmbënguli në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por në takim janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviç, tha pas takimit se ftesa e Lajçakut për të vazhduar dialogun për normalizimin e raporteve më 16 nëntor në Bruksel është pranuar.
“Ne do të diskutojmë për tekstin e draft-statutit të Asociacionit. Pala jonë do të shkojë me një ekip ekspertësh”, tha Petkoviç.
Më 16 nëntor, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, do të takohen në Bruksel. Vizita e Lajçakut në Serbi vjen pasi ai më 7 nëntor, Lajçak vizitoi Kosovën, ku diskutoi me përfaqësuesit e Qeverisë dhe të opozitës për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Propozimi i ri “për një model modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë nga anëtarët e “Pesëshes së Madhe” gjatë vizitës së tyre në këto dy shtete më 21 tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




