Nga Gazeta ‘Si’-Në Londër po shkon për të paraqitur të ashtuquajturin plan të disa vendeve të rajonit për shkatërrimin e Serbisë duke e përfshirë atë në një luftë me NATO-n. Presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian kryetemë e bisedave pritet të jetë grindja e tij me zyrtarët e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe kërkesat e Beogradit për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit.
Vuçiç vijon të përdorë deklaratat e zyrtarëve në Sarajevë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë për t’u viktimizuar përpara ndërkombëtarëve.
“Ne nuk duam të shkojmë në luftë, ndryshe nga ata që pështyjnë Serbinë dhe shkojnë në luftë çdo ditë. Unë nuk do të justifikoj një gjë normale. Fushata kundër meje ishte e pritshme. Si me komandë kanë bërë gjithçka, siç kam thënë unë se do të bënin në Sarajevë edhe në Prishtinë. Kjo nuk do të ndryshojë, nuk kam asgjë kundër që ta bëjnë atë fushatë, kur nuk mund të mburresh për ekonominë, atëherë duhet të bësh atë lloj fushate politike. Ata gënjejnë për çdo gjë, nga snajperët e deri te Srebrenica”, tha Vuçiç.
Në ditën përkujtimore të gjenocidit serb në Srebrenicë, udhëheqës dhe politikanë të ndryshëm akuzuan Beogradin se ende ka pretendime territoriale ndaj Bosnje dhe Hercegovinës. Në kundërpërgjigje, Vuçiç prezantoi një plan me këto pika: gjymtimi moral i Serbisë, dobësimi ekonomik, agresioni mediatik, dëshira për konflikt e Prishtinës dhe Sarajevës që pason ndërhyrjen e NATO-s me sulme ndaj Serbisë dhe në fund do ishte shkatërrimi i shtetit serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




