Kosova

Vuçiç: Qeveria e Kosovës “po merr fshehurazi veriun”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”.

Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, Vuçiç tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.

Vuçiç tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

“…sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha Vuçiç.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një postim në Facebook të enjten(8 shtator) se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”.

Sveçla tha se kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta.

Në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, operojnë edhe organe paralele të Serbisë.

Vuçiç tha se Brukseli nuk reagon ndaj thirrjeve për të ndikuar në veprimet e Prishtinës dhe paralajmëroi zyrtarët e BE-së dhe të Kosovës se Serbia “nuk do ta lejojë më këtë”.

“I paralajmëroj të dyja palët që të mos e bëjnë më këtë, pasi populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha Vuçiç.

Siç është njoftuar më herët, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë sot në Kosovë dhe Serbi.

Ai do të shoqërohet nga këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se tre diplomatët do të takohen në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç thirri për të shtunën një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilën temë kryesore u tha se do të jetë situata në Kosovë dhe sfidat e sigurisë.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.(REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë