Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të dielën se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë nga fundi i javës së ardhshme në Bruksel.
Vuçiç i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në televizionin Pink mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.
Ai e përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiç.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi ta “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas takimit me Vuçiçin, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, e përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht, si dhe i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në këtë çështje.
I pyetur nëse pret trysni, Vuçiç tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.
“Ne duhet ta kuptojmë atë realitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin, Gjermania nuk do ta ndryshojë qëndrimin”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




