Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është “shumë e vështirë për Serbinë”.
“Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment… ata nuk na dhanë shans. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një shans”, tha Vuçiç për televizionin serb, TV Prva.
Ai nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet.
Rreth një muaj më parë, në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Megjithatë, propozimi nuk u bë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht.
Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistencën e ndonjë dokumenti të tillë.
“Kur më erdhën për herë të parë përfaqësuesit e [kancelarit gjerman Olaf] Scholz dhe [presidentit francez Emmanuel] Macron, nuk pranova ta marr letrën, sikur ta dija… sepse supozova se do ta publikonin shqiptarët. Më thanë se letra ishte sekret. Të gjithë e kanë të qartë se kush e shkeli marrëveshjen”, tha Vuçiç.
Presidenti i Serbisë tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia – të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat shqiptare, por nuk specifikoi më shumë.
Në mediat në Kosovë qarkulluan disa shkrime, sipas të cilave, propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Vuçiç tha më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Vuçiç tha se kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi se “është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja”.
Duke folur t për TV Prva, ai përsëriti se “ka detaje të ndryshme që përmenden në oferta”.
“…na ofrojnë qasje të hapur në BE, por të mos kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha, mes tjerash, ai.
Duke komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rrugën përpara është çështje javësh e jo vitesh, Vuçiç tha se këtë e ka dëgjuar në shumë biseda, por se nuk mendon se është reale, sepse, sipas tij, Prishtina duhet ta përmbushë atë që është parashikuar me Marrëveshjen e Brukselit: ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të vitit 2015, ka konstatuar se disa konkluzione në të, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen përmes një statuti.
Udhëheqësit e tanishëm në Kosovë insistojnë se asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte i dëmshëm për vendin.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur.
Në Kosovë thonë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të duhet të përfshijë njohjen reciproke, por në Serbi, tash për tash, e kundërshtojnë një gjë të tillë.(REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




