Analize

‘Vuçiç përhap propagandë ruse’. U takua 17 herë me Putinin. Do Serbinë e madhe

Nga Gazeta ‘Si’– Serbia është aleati më i ngushtë evropian i Rusisë dhe korrupsioni në këtë shtet ballkanik është gjithandej.

Kështu thuhet në analizën e cila u publikua nga fondacioni gjerman Friedrich Naumann.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, 17 herë është takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Në vitin 2019, Vuçiç u dekorua në Moskë me Urdhrin Aleksandar Nevski, i cili zakonisht i është dhënë personaliteteve të mëdha ruse. Ky ishte njëri ndër çastet më të lumtura në karrierën e tij politike,“ thuhet në analizën ‘Rusia dhe pionierët e autokracisë: Si po e destabilizon Evropën, Kremlini’, autor i së cilës është profesori universitar, Thomas Brey.

Ai shton se regjimi në Serbi po mundohet të zbatojë politikën e “botës serbe”, sipas modelit të ngjashëm me projektin “bota ruse”.

“Ky program serbomadh ishte njëri ndër shkaqet e luftërave të përgjakshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë,” thekson analiza, ndërsa rikujtohet se Serbia nuk ka harmonizuar politikën e saj me atë të BE dhe nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Kompania kombëtare ajrore Air Serbia ende vazhdon të mbajë linjën disa herë në javë me Moskën dhe qytetet tjera ruse. Në afërsi të qytetit të Nishit, në jug të Serbisë, ekziston një qendër humanitare ruso-serbe, të cilin kritikët në Perëndim e konsiderojnë qendër për shërbimet sekrete ruse,” thekson analiza.

Mediat proqeveritare në Serbi, shton analiza, janë përhapësit kryesorë të propagandës ruse.

“Edhe më e rëndësishme është se ata janë zyrtarë serbë, në veçanti ata në poste të larta shtetërore, ata që në radhët e para përhapin narrativën antiperëndimore dhe proruse,” thuhet në analizë duke shtuar se në këto media “Rusia lartësohet deri në qiell, deri sa Perëndimi demonizohet”.

Vuçiç në intervistat e tij për mediat perëndimore përhap propagandë ruse, thekson analiza duke konstatuar se edhe pse Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Serbisë, ajo pasqyrohet shpesh si negative në Serbi.

“Pavarësisht nëse është fjala për Putinin nga Rusia, Orbanin nga Hungaria, Vuçiçin nga Serbia ose Ficon nga Slovakia, sistemi i kontrollit të tyre politik dhe ruajtja e pushtetit kudo janë të ngjashme,” thekson analiza.

“Në vend të parë është nacionalizmi i ri, i cili nxitet me pohimin se vendet fqinje, NATO, SHBA dhe BE kërcënojnë kombin e tyre,” thuhet mandej në të.

Burimi: Friedrich Naumann/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë