Kosova

Vuçiç pas takimit me Lajçak: Jam i shqetësuar për situatën në veri

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 12 maj në Beograd. 

Vuçiç, pas takimin me Lajçakun, tha se i ka përcjellë shqetësimin e tij për situatën në Kosovë, “veçanërisht në veri”.

“I thashë ndërmjetësuesit evropian se shqetësimi im buron nga nevoja e Albin Kurtit (kryeministri i Kosovës) për të provokuar incidente dhe konflikte”, tha Vuçiç.

Siç ishte paralajmëruar edhe më herët në Bruksel, Lajçak, i cili ishte në Prishtinë më 11 maj, po qëndron në Serbi për të monitoruar zbatimin e asaj që është vendosur dhe rënë dakord në Bruksel dhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tha në Prishtinë se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin të hënën e 15 majit në Bruksel.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.

I pyetur gjatë ditës se si e sheh zgjidhjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur të dyja palët kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta se si duhet të duket, Lajçak tha se “do të ishte naive të kishim një qëndrim të përbashkët që nga fillimi.”

“Tani duhet të ulemi dhe të fillojmë të punojmë, të arrijmë një marrëveshje, t’i afrojmë qëndrimet e njërit dhe tjetrit. Sigurisht, platformë e përbashkët duhet të jenë marrëveshjet e mëparshme dhe modelet evropiane. Aty ku ka vullnet, ka rrugë”, deklaroi Lajçak.

Pas takimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryenegociatiorin Bislimi, Lajçak tha se kanë biseduar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe hapat e ardhshëm pas takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ritheksoi se Kosova është interesuar të zbatojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë