Kosova

Vuçiç: Nuk e di se çfarë qëllimi kanë takimet nëse nuk zbatohet Asociacioni

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha sot para takimit me të dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se nuk dëshiron të flasë shumë para takimit, por se do të përpiqet të punojë për të parë se çfarë mund të bëhet.

Vuçiç u shpreh se nuk e di se cili është qëllimi i takimeve, nëse dikush nuk është i gatshëm të flasë, e jo më të zbatojë formimin e Asosacionit.

“Do ta them si i shoh gjërat dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen. Të mërkurën dhe të enjten, do të flas sa u përket Kosovës dhe Metohisë. Do të përpiqem të punoj për të parë se çfarë është, jo çfarë do të fantazojmë, por çfarë mund të bëjmë. Nëse dikush nuk është gati të flasim, e lëre më të zbatojmë Asociacionin, nuk e di se çfarë është qëllimi”, theksoi ai.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 13 dhe 14 mars, me qëllim të mbledhjes së informacionit sesi do të zbatohet e ashtuquajtura Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Takimi i tij me Vuçiç do të nisë në orën 14:30.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë