Ne rrjet

Vuçiç nuk do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se nuk do të marrë pjesë në samitin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Europian në Kotor të Malit të Zi, sepse mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për rezolutën në Srebrenicë do të mbahet me shumë mundësi të mërkurën.

“Do udhëtoj në Nju Jork, sepse dikush duhet të përgjigjet ndaj atyre që do të akuzojnë serbët se janë njerëz që kryejnë gjenocid”, ka deklaruar Vuçiç.

Ai ka thënë se ndihma financiare e Brukselit përmes Planit të Rritjes, është e rëndësishme për Beogradin, dhe që pret se Serbia do të jetë pjesë e BE-së në të njëjtën kohë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Varhelyi, në anën tjetër, ka thënë se shtyn përpara idenë që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE edhe para anëtarësimit të plotë të rajonit në bllokun evropian.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE prej vitit 2012, ndërsa negociatat i ka nisur më 2014.

Diskutimet për Srebrenicën

Ndërkohë Komisionari i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka thënë të hënën në Beograd se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në bllokun europian, duhet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së, të përmirësojë demokracinë si dhe sundimin e ligjit.

Varhelyi ka përmendur edhe rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, për të cilën planifikohet të diskutohet në Kombet e Bashkuara.

“Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb kur është fjala për rezolutën për Srebrenicën. Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona. Mirëpo, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, ka thënë Varhelyi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë