Kosova

Vuçiç mohon se do të ketë takim me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i mohoi deklaratat e zyrtarëve në Kosovë se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Vuçiç tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.

“Askush nuk më ka pyetur për bisedime. Unë nuk ik nga asnjë takim. Kryesisht ai [Kurti] ka ikur nga takimet”, tha Vuçiç në një konferencë për gazetarë.

Takimin e ri Kurti-Vuçiç në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media më 4 korrik.

Vuçiç shtoi se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe se nuk do ta harrojë popullin e saj në Kosovë.

“Lexoj në shtypin e Prishtinës se Vuçiç po kërcënon. Me çka? Serbisë i duhet paqe, nuk ka nevojë për konflikte, ka nevojë për zhvillim. Ne nuk mendojmë se është e mundur të arrihet diçka me luftë apo me mjete ushtarake. Kjo nuk do të thotë se do të lejojmë persekutimin dhe vrasjen e popullit tonë [në Kosovë], por angazhimi ynë është paqja”, tha ai.

Vuçiç nuk dha ndonjë provë apo detaj rreth persekutimit dhe vrasjeve që përmendi.

“Do të vazhdojmë të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit”

Duke folur për gazetarët të mërkurën, Vuçiç tha se është i lumtur që Parlamenti Europian nuk e ka pranuar një propozim për ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit midis Serbisë dhe BE-së, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj luftës në Ukrainë.

Vuçiç tha se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të veprojë në përputhje me interesat e shtetit.

“Ka pasur përpjekje nga disa deputetë të Parlamentit Europian që të votohet për ndërprerjen e negociatave me Serbinë. Na vjen mirë që nuk është votuar, sepse do të ishte gabim… Falënderoj shumicën në PE që nuk ka pranuar”, tha Vuçiç.

Parlamenti Europian miratoi të mërkurën një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Kjo është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian përmendet njohja reciproke.

Me këtë rezolutë, përfaqësuesit evropianë po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së”, si dhe “të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë që më 24 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë