Kosova

Vuçiç mohon akuzat e Sveçlës se djali i tij ishte i përfshirë në sulmin e Banjskës

Nga Gazeta ‘Si’-Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiçit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiçit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiç është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiçit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë.

Vuçiç përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiç, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë