Kosova

Vuçiç: Mirënjohës ndaj vendeve që kanë votuar kundër pranimit të Kosovës në KiE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në seancën e së martës (25 prill) të Qeverisë së Serbisë, ku është diskutuar për Kosovën, janë ndarë detyrat në sferën e politikës së jashtme.

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, tha Vuçiç.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai tha se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar të hënën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Beogradi e ka ditur që Kosova e ka shumicën e mbështetjes në Këshillin e Evropës.

“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiç, duke iu referuar vendeve që kanë votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja e tij Parlamentare.

Beogradi i pakënaqur me votën në Këshillin e Evropës

Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi më 24 prill që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare.

Kështu nisën edhe zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e cila u dorëzua nga Kosova qysh në maj të vitit 2022.

Sipas informacioneve nga Brukseli, 33 përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës votuan pro vendimit, shtatë ishin kundër dhe pesë abstenuan.

Vuçiç tha se vendimi i Këshillit të Evropës për Kosovën është mbivotuar dhe se abstenimi praktikisht nënkupton votë “pro”.

Ai tha se abstenimi i Greqisë – vend i BE-së që s’e njeh pavarësinë e Kosovës – ishte i pritshëm dhe komentoi abstenimin e Ukrainës.

Serbia ka votuar, po ashtu, kundër Kosovës në Këshill të Evropës, edhe pse me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dy vendet janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë