Kosova

Vuçiç mbron agresorët dhe paralajmëron ngjarje të tjera tragjike nëse nuk formohet Asociacioni: Njohja e Kosovës të harrohet

Nga Gazeta ‘Si’-Në reagimin e tij të parë pas trazirave në veri që erdhi në orët e mbrëmjes, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e “justifikoi” agresionin e sotëm me pakënaqësitë e serbëve që sipas tij vijnë nga mosformimi i Asociacionit.

Ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiç la të nënkuptohej se ishte palë me serbët e rebeluar dhe shtoi se në mungesë të krijimit të tij, ngjarje të tilla do të përsëriten.

Duke insistuar për Asociacionin ai deklaroi se policët në veri tashmë e tutje duhet të jenë serbë.

“E thërras bashkësinë kombëtare që të bëjë thirrje të themelohet bashkësia e komunave serbe. Kjo është mënyra e vetme që serbët të mos ndiqen në vatrat e tyre dhe mos të ketë më konflikte. I bëjmë thirrje popullit tonë për paqe dhe përmbajtje, t'i besojnë shtetit të tyre. Mos të ketë gjakderdhje më të madhe”- tha Vuçiç.

Ai deklaroi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet duke përcaktuar kështu axhendën e dialogut të ardhshëm dhe për ngjarjen fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Dyfytyrësia është emri i tyre i mesëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar të fajësojnë Serbinë për të njohur Kosovën. Kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur, mund të na vrisni të gjithëve, kurrë Serbia nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Një krijesë që e krijuat duke bombarduar Serbinë. Për të biseduar, do të bisedojmë. Por njohja e Kosovës të harrohet.”- tha Vuçiç.

Vrasjen e tre agresorëve serbë ai e barazoi me të gjithë Serbinë ndërsa deklaroi: Na vrisni të gjithëve!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë