Pasi alarmoi serbet se Putini i Rusisë mund ta shtypë butonin e kuq bërthamor, presidenti Aleksandër Vuçiç mblodhi urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Ai foli për “trazira komplekse dhe jo të lehta gjeopolitike në arenën globale”. Ndërsa ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiç, shtoi se bota po shkon drejt përkeqësimit të situatës së sigurisë. Pavarësisht se ishin mbledhur për të folur për tragjeditë brenda Serbisë, nuk lanë pa përmendur Kosovën dhe pretendimet se anëtarët e komunitetit serb po dhunohen.
“Ne diskutuam për situatën në Kosovë dhe Metohi, e cila është e rënduar nga politika e vazhdueshme ekstremiste e udhëheqjes së Prishtinës, armatimi i tyre i mëtejshëm, zbatimi i veprimeve të dhunshme, incidentet me motive etnike me qëllim të dëbimit të serbëve nga Kosova dhe Metohia. Sigurisht, kur është fjala për këtë, duhet të jemi të përgatitur për një zhvillim negativ të situatës, kur bëhet fjalë për sfidat gjeopolitike, dhe nga ana tjetër, sigurisht që kemi edhe probleme sigurie që rëndohen nga ato të brendshme”, tha Ivica Daçiç, ministër i Brendshëm i Serbisë.
Në seancën urgjente morën pjesë kryesia shtetërore serbe: kryeministri Millosh Vuçeviç, ministrat Ivica Daçiç, Maja Popoviç, Bratisllav Gashiç. Të pranishëm ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsiloviç, drejtori i BIA-s Vladimir Orliç, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake Zoran Stojkoviç dhe shefa të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.