Bota

Vuçiç: Kroacia po punon me Shqipërinë dhe Kosovën për shkatërrimin tonë

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb Aleksander Vuçiç akuzoi Kroacinë se sipas tij, po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë për shkatërrimin e Serbisë dhe për krijimin e një kërcënimi ushtarak.

“Për këtë arsye, qeveria jonë, do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj ushtarake”, tha Vuçiç.

Sipas mediave kroate, këto pohime Vuçiç i bëri në Trebinje në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku udhëtoi për të marrë pjesë në hapjen e një spitali të ri, por ku shumë pak foli për kujdesin shëndetësor.

Referuar, Index.hr, kreu i shtetit serb u përqendrua tek analizat gjeostrategjike, duke parashikuar ardhjen e “kohërave të vështira”, përfshirë rreziqet e reja të luftës në juglindje të Europës.

Ai e bëri të qartë se shqetësimi i tij është në mënyrë të veçante Kroacia, dhe bashkëpunimi i saj në mbrojtje me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

“Ne jemi të dytët në botë për sa i përket përparimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe brenda dy vjetësh do t’i dyfishojmë kapacitetet tona ushtarake”, shtoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se Serbia nuk do të sulmojë askënd.

Vuçiç kritikoi edhe krahasimet me ish-presidentin Slobodan Millosheviç, duke thënë: “Unë nuk jam Millosheviçi juaj, nuk jam as naiv dhe as budalla që t’ju besoj. Serbia ka mësuar nga historia dhe do të ruajë lirinë e saj pa rrezikuar askënd.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë