Kosova

Vuçiç kërkesë Macronit: Zgjidhja për Kosovën të mbetet lart në agjendën e BE-së

Nga Gazeta 'Si' - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Në njoftimin që Vuçiç ka bërë në Instagram tha se Macronit i ka kërkuar që zgjidhja e çështjes së Kosovës “të mbetet lart në agjendën e Bashkimit Evropian”.

“Përderisa Europa po kalon një periudhë tranzicioni dhe pasigurie, unë theksova rëndësinë e vazhdimësisë në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Serbinë, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe kushtet, në të cilat jeton komuniteti serb i privuar nga e drejta.

E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë një vend të lartë në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”, shkroi Vuçiç.

Ai tha se i kërkoi Macronit që “të qëndrojë pranë Serbisë në rrugën e saj të vështirë drejt ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, me të cilat përballet në atë rrugë”.

“Theksova se avokimi për dialog mbetet themeli i politikës së Serbisë në marrëdhëniet rajonale dhe faktori më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të vështira që janë para të gjithëve ne”, shtoi ai.

“Ne diskutuam gjithashtu nevojën për bashkëpunim strategjik në formësimin e trajektores së ardhshme të kontinentit tonë dhe të botës në tërësi, si dhe në zgjidhjen e çështjeve urgjente në lidhje me sigurinë rajonale dhe stabilitetin ekonomik”, tha Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë