Kosova

Vuçiç: Jam i hapur për bisedime për gjithçka, përveç njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, ka folur për planin franko-gjerman, duke zbuluar detaje të procesit dhe takimit të së hënës në Bruksel.

Sipas Vuçiçit, plani i dorëzuar nga presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë ka qenë dokument i panegociueshëm dhe kur i është dorëzuar i është thënë “merre ose lëre”.

Ai ka thënë se Serbia është kërcënuar me pasoja nëse refuzon duke theksuar se kjo do të ndodhte duke i tërhequr investitorët dhe duke i shuar mijëra vende pune.

 Vuçiçi ka thënë se kjo kishte mundësi të ndodhte pasi kompani të fuqishme janë tërhequr nga një treg i madh siç është Rusia për një kohë të shkurtër.

Më tej Vuçiçi ka shtuar se në një përgjigje që u ka dërguar ndërmjetësve u ka thënë se është i hapur për bisedime rreth gjithçkaje, përveç njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në OKB.

Ai ka thënë se derisa është President i Serbisë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur por sipas tij pavarësia e saj është realitet dhe se shqiptarët nuk do të binden për një status të autonomisë brenda Serbisë.

“Të ndalemi së gënjyeri veten. Kjo nuk do të ndodhë më kurrë. 99,999 për qind e shqiptarëve janë për pavarësinë e Kosovës dhe kjo s’do të ndryshojë”, ka thënë Vuçiçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë