Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb Aleksander Vuçiç, në intervistën e dhënë për emisionin “Hard Talk” të BBC u pyet edhe për Kuvendin Gjithëserb që ai organizoi muaj më parë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
“Le të flasim për atë që u tha në takimin e Parlamentit Gjithëserb. Nga ky takim pati një deklaratë, ku theksohej se, populli serb është një entitet i vetëm.
‘Një komb, një parlament ishte slogani.’ Kjo gjuhë i shqetësoi njerëzit në Bosnje, në Kroaci, edhe në vende të tjera. Shumë njerëzve u krijua përshtypja se ideologjia e Serbisë së Madhe është ende atje”, tha prezantuesi Steven Sakura.
Por Vuçiç u përgjigj se kjo ideologji nuk qëndron dhe tha se ajo ishte një histori fiktive nga të gjithë ata njerëz që sipas tij donin të dëmtonin Serbinë dhe interesat kombëtare serbe.
“Nuk kemi aspirata për një parlament. Ishte kuvendi i popullit serb. Nuk është një parlament i vërtetë. Ne kemi një parlament të vërtetë në Serbi. Ata kanë një parlament të vërtetë në Sërpska apo kudo tjetër. Këto janë histori të ndryshme. Por ajo që thamë në deklaratë është se ne mbështesim plotësisht respektimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që u nënshkrua në vitin 1995. Dhe unë e kam thënë mijëra herë, dhe tani e përsëris, se ne mbështesim integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Dhe integriteti territorial i Republikës Sërpska brendaBosnjës dhe Hercegovinës. Çfarë është e paqartë në atë deklaratë?
Askush nuk ka të drejtë të zvogëlojë apo privojë popullin serb nga e drejta për të përdorur gjuhën e tij, për të përdorur alfabetin e tij cirilik apo diçka tjetër”, tha Vuçiç.
Mandej Sakura e pyeti nëse Vuçiç mbështet Dodik mbi shkëputjen e serbëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, tha majin e kaluar se Bosnja dhe Hercegovina ka arritur fundin e saj dhe se gjithçka që u mbetet serbëve të Bosnjës është të përpiqen të ndahen nga Bosnja dhe Hercegovina në paqe. Ai dëshiron shkëputjen. E përkrahni?”, e pyeti Sakura.
Vuçiç u përgjigj se ai ka një marrëdhënie relativisht të mirë me presidentin Dodik dhe e respekton atë por nuk i jep asnjë urdhër.
“Unë nuk jam përgjegjës për marrjen e ndonjë vendimi në emër të Republikës Sërpska. Unë jam presidenti i Serbisë. Mendoj se Milorad Dodik është provokuar nga veprime të ndryshme, qoftë nga përfaqësuesi i lartë, qoftë nga boshnjakët në Sarajevë apo nga kushdo tjetër. Duke folur për Serbinë, Serbia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Bosnjës, duke përfshirë integritetin e Sërpska brenda Bosnjës.
Unë mund ta përsëris një mijë herë dhe nuk mund të gjeni një deklaratë të vetme që kam bërë për këtë temë që të jetë ndryshe nga ajo që kam thënë. Serbia i ka kufijtë e saj sipas Kushtetutës dhe në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe rezolutat e OKB-së. Dhe ne nuk kemi nevojë për asgjë më shumë, asgjë që do të vijë nga dikush tjetër, dhe nuk do t'i japim asgjë askujt që na takon neve”, tha Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.