Kosova

Vuçiç, QUINT-it: Kujdesuni për sigurinë në veri të Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’ – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Në një nga momentet më të vështira për Serbinë, zhvillova një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit në Beograd më 26 shtator.

“Po ashtu kam pyetur pse misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës”, shtoi ai, pa dhënë më shumë detaje për pretendimin e tij.

Më 25 shtator, Vuçiç u takua me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, të cilit, siç ka thënë ai, i ka paraqitur “kërkesat e palës serbe”. Megjithatë, ai nuk ka treguar se për çfarë kërkesa bëhet fjalë.

Serbia refuzon t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Një nga arsyet është mbështetja që i jep Rusia Serbisë për politikat e saj karshi Kosovës.

Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës.

Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve janë vrarë tre sulmues, ndërkaq janë arrestuar gjashtë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë