Nga Gazeta ‘Si’-Bashkimi Europian dhe SHBA duhet t’i dalin për zot marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të firmosur në Ohër, në një kohë kur Beogradi zyrtar vijon ta shkelë atë dhe të mos ndëshkohet.
Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ndërkombëtarët gjatë një debati të organizuar nga Këshilli Atlantik, më temën “Kthimi në rrugën e duhur: Zhbllokimi i ardhmërisë euroatlantike dhe zhvillimore të Kosovës”.
Kryeministri Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për normalizimin e Serbisë në kuptimin demokratik dhe evropian të fjalës.
“Dhe e gjithë kjo jo vetëm sepse nuk duhet kundërshtuar anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por sepse Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë krah për krah si fqinjë normalë me marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane. Përballë pushtimit rus të Ukrainës, komuniteti Atlantik kërkoi pajtimin me më pak. Në vend të një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, qeveritë kërkuan një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë de facto. Natyrisht, qeveria jonë është për dialog, dhe në çdo rrethanë ne angazhohemi vetëm për marrëveshje që çojnë më tej interesat e Kosovës dhe forcojnë shtetësinë tonë dhe që nuk e pakësojnë apo dëmtojnë atë”, tha Kurti.
Kurti kritikoi diplomacinë perëndimore për “përkëdhelje” të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Nëse ka ndonjë mësim për të nxjerrë nga lufta në Ukrainë, ai është se ‘përkëdhelja’ e autokratëve nuk funksionon kurrë. Ata e marrin bujarinë e treguar ndaj tyre si një shenjë dobësie, frike ose të dyjave. Ata, për fat të keq, kuptojnë vetëm qëndrueshmërinë dhe forcën demokratike. Por në vend të shkopinjve, presidentit të Serbisë i janë ofruar karota. Sa më shumë telashe të bëjë në rajon, aq më shumë para kërkon dhe merr nga BE-ja. Sa më shumë të lëvizë drejt Rusisë dhe Kinës, aq më shumë Bashkimi Evropian e ndjek me fonde. Ndërkohë, që prej ardhjes së tij në pushtet, Serbia vetëm sa është rikthyer në autokraci”, tha kryeministri Kurti.
Pavarësisht kritikave, Kurti thekson se Kosova vijon të mbetet e përkushtuar e konstruktive në bisedime, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për normalizimin e Serbisë në kuptimin demokratik dhe evropian të fjalës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.