Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh i sigurt se Perëndimi shumë shpejt do të dalë me një tekst për statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se Serbia as që do të pyetet.
Lideri serb shtoi se shteti i tij po “bën më të mirën për të ruajtur paqen dhe gjithmonë jemi të gatshëm për kompromise”.
“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit, për të cilin nuk do të na pyesin fare. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet të paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritjeve të tyre”, tha Vuçiç në Valevë të Serbisë.
Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, draft-statuti i kryeminsitrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Vuçiç foli për statutin e Asociacionit, teksa po komentonte incidentin e fundit në Mitrovicë të Veriut, kur më 26 qershor u sulmua me mjet shpërthyes ndërtesa e kësaj komune.
Vuçiç përsëriti se “të gjithë në botë e dinë se kush po tenton të përshkallëzojë situatën dhe kush dëshiron luftë”.
“Serbia nuk e do këtë”, theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




