Ne rrjet

‘Vuçiç duket se e ka fyer Trumpin’

Nga Gazeta ‘Si’- Eksperti i politikës ndërkombëtare Daniel Serwer, në një intervistë për Danas ka analizuar zhvillimet e fundit politike në Serbi.

Sipas tij, Serbia nuk është në rrugën e duhur drejt Europës e madje, ka fyer edhe Shtetet e Bashkuara.

Serwer është pyetur edhe për ambiciet e Serbisë për të krijuar “botën serbe”, e cila sipas tij, do të sjellë shkatërrim në Ballkan.

Intervista e plotë:

Si i shihni protestat studentore gjatë vitit të kaluar? A mund të çojnë ato në një ndryshim qeverie në Serbi?

Serwer: Sigurisht që munden, por nuk e di nëse do të ndodhë. Presidenti Vuçiç është mjeshtër në manipulimin e protestave popullore: shkarkon ndonjë ministër këtu e atje, shpall zgjedhje të reja, mbush kutitë e votimit ose zhvendos votues në zona kyçe, pa e vënë seriozisht në rrezik pushtetin e tij. Ai nuk ka gjasa të bëjë gabimin që bëri Millosheviçi, duke menduar se do të fitonte në një proces relativisht të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Vuçiç do të jetë edhe më i kujdesshëm për ta garantuar rezultatin.

Aleksandar Vuçiç po bën absolutisht gjithçka për të qëndruar në pushtet. Si i shihni lëvizjet e tij – nga “Ćaciland” te ndalimi i atyre që e kritikojnë publikisht?

Serwer: E gjitha është pjesë e strategjisë së tij për të siguruar zero rrezik ndaj pushtetit personal.

Duket se BE-ja ende nuk e kupton shkallën e korrupsionit dhe krimit në Serbi dhe nuk e kritikon mjaftueshëm regjimin e Vuçiçit. Sipas jush, pse BE-ja nuk rreshtohet me studentët?

Serwer: Nuk mendoj se dikush duhet të presë që BE-ja “të rreshtohet me studentët”. BE-ja duhet të rreshtohet me vlerat e saj, të cilat janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me autokracinë në rritje në Serbi. Etja për litium, varësia nga “stabiliteti” dhe madje edhe kundërshtimi i ndikimit rus janë dytësore krahasuar me rikthimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Serbi. Këtë e diktojnë vlerat dhe interesat evropiane.

Vuçiç u përpoq t’ia shesë ndërtesën dhëndrit të Trumpit. Ai duket qartë se po përpiqet ta fitojë Trumpin. Si e shihni faktin që dhëndri i Trumpit u tërhoq nga blerja e asaj ndërtese?

Serwer: Nuk jam në dijeni të mendimit të Kushnerit. Por Vuçiç duket se e ka ofenduar Administratën Trump në një mënyrë ose tjetër, gjë që sipas mendimit tim është pozitive. Kjo do të thotë se Beogradi dhe Uashingtoni nuk mund, të paktën për momentin, ta shesin sundimin e ligjit dhe demokracinë ashtu siç e ka bërë Uashingtoni tashmë në shumë pjesë të tjera të botës.

Çfarë mendoni për krijimin e një “bote serbe”? Shumë media shkruajnë se Serbia po ndërhyn në politikën e Malit të Zi, në atë të Bosnjë-Hercegovinës përmes Republikës Srpska…

Serwer: “Bota serbe” është thjesht një formë e modernizuar e Serbisë së Madhe. Ajo do të sjellë vdekje dhe shkatërrim në shumë pjesë të Ballkanit sot, ashtu si në vitet ’90. Po ashtu, do t’i japë fund shpresave të Serbisë për anëtarësim në BE. Beogradi po vë në rrezik prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të vet për të zgjeruar ndikimin në vendet fqinje. Ky nuk është një ambicion që përfundon mirë.

Si e shihni rajonin në vitin 2026 dhe rolin e Serbisë në këto marrëdhënie?

Serwer: Është e vështirë të pritet diçka tjetër përveç stagnimit të mëtejshëm të marrëdhënieve rajonale. Shpresa më e madhe për përparim është anëtarësimi në BE i Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Serbia ka zgjedhur rrugën e ngadaltë.

Çfarë mendoni se e shënoi vitin 2025 në aspektin e politikës së jashtme?

Serëer: Për mua, zhvillimi kyç ishte vendimi i Administratës Trump për t’u rreshtuar me Rusinë kundër Ukrainës dhe për të ndalur mbështetjen publike për demokracinë dhe sundimin e ligjit në mbarë botën. SHBA-ja tani qeveriset nga një administratë thellësisht e korruptuar, që kërkon favore financiare, përfshirë edhe për xhepat e presidentit dhe familjes së tij. Asnjëri prej nesh nuk e ka përpunuar ende plotësisht këtë ndryshim dramatik.

A shihet fundi i luftës në Ukrainë?

Serwer: Jo. Mund të ketë një armëpushim dhe madje edhe një marrëveshje, por pres që ukrainasit të vazhdojnë të rezistojnë ndaj pushtimit dhe agresionit të vazhdueshëm rus. I vetmi fund i shpejtë i kësaj lufte do të ishte një fitore ukrainase në Donbas dhe Krime. Kjo nuk ka gjasa pa mbështetjen amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë