Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa Serbia në samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet në Tiranë përfaqësohet nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe delegacioni i qeverisë së tij kanë udhëtuar drejt Kinës.
Vuçiç do të marrë pjesë në Forumin e tretë “Brez dhe Rrugë” në datat 17-18 tetor, ku paralajmëroi takime të ndryshme dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën.
“Unë pres nënshkrimin e shumë marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjen e tregtisë së lirë. Ajo marrëveshje do të thotë shumë për fermerët, si dhe për industrinë e verës,” ka thënë ai.
I pyetur më herët nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ai tha se nuk janë planifikuar bisedime dypalëshe, por sigurisht që do ta takojë atë, si shumë liderë të tjerë.
“Me sa kam dëgjuar, në atë takim po vijnë 24 liderë botërorë. Mes tyre është edhe Putini. Unë nuk kam një plan dypalësh me të. Hera e fundit që u takuam ishte më 25 nëntor 2021, kur thashë se do të kishte luftë në Ukrainë. Do të jetë edhe më keq në botë dhe prandaj është e rëndësishme për ne të ruajmë paqen”, tha Vuçiç.
Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë edhe pse Perëndimi i ka bërë thirrje të vazhdueshme.
Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me Shi Xhinping në Kinë këtë javë në një përpjekje për të thelluar një partneritet të krijuar midis dy konkurrentëve më të mëdhenj strategjikë të Shteteve të Bashkuara.
Kjo shënon herën e parë këtë vit që Putin udhëton jashtë Rusisë dhe territoreve ukrainase që kontrollohen nga Moska. Në fillim të këtij viti, ai vizitoi rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, Donetskun, Luhanskun, Khersonin, si dhe Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Në fund të këtij muaji, presidenti rus pritet të vizitojë sërish Kinën. Muajin e kaluar, ai pranoi gjithashtu një ftesë për të vizituar Korenë e Veriut, megjithëse mbetet e paqartë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




