Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiç për gazetarët në Azerbajxhan.
Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
Sipas Vuçiçit, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm dëshiron që ta poshtërojë Serbinë.
Ai theksoi se sjellja e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, është më e drejtë krahasuar me sjelljen e shumicës së qeverive perëndimore.
“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiç.
Ai kërkoi shpjegim nga Kosova sa i përket arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq – që u arrestua më 10 dhjetor – dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




