Filma

Vuan nga afazia, aktori amerikan Bruce Willis tërhiqet nga aktrimi

Aktori i njohur, Bruce Willis, është diagnostikuar me një sëmundje të trurit të quajtur afazi dhe do të largohet nga aktrimi, sipas një njoftimi të familjes së tij.

Ky lajm u dha në një deklaratë në rrjete sociale.

“Për mbështetësit e mrekullueshëm të Bruce, si familje ne donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi është diagnostikuar me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse. Si rezultat i kësaj dhe me shumë konsideratë Bruce po largohet nga karriera që ka kaq shumë kuptim për të. Kjo është një kohë vërtet sfiduese për familjen tonë dhe ne jemi kaq mirënjohës për dashurinë, dhembshurinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ne po e kalojmë këtë si një familje e bashkuar dhe e fortë, dhe kemi dashur të njoftojmë fansat e tij sepse e dimë se sa shumë do të thotë ai për ju, ashtu siç ju për të”, thuhet në deklaratë.

Deklarata është nënshkruar nga gruaja e Willis, Emma Heming, ish-gruaja e tij Demi Moore dhe pesë fëmijët e tyre (Rumer, 33; Scout, 30; Tallulah, 28; Mabel, 9 dhe Evelyn, 7). Fjalia e fundit i referohet një fraze të dashur për aktorin: “Siç thotë Bruce gjithmonë, ‘Gëzojeni momentin’ (‘live it up’) dhe së bashku synojmë të bëjmë pikërisht këtë”.

Çfarë është afazia?

Afazia është një çrregullim gjuhësor. Njerëzit që vuajnë nga afazia mund të kenë probleme me të folurit, të kuptuarit, të lexuarit, të shkruarit dhe kryerjen e mbledhjeve. Afazia më së shumti shkaktohet nga goditjet, çfarëdo dëmtimi ose sëmundje e pjesëve të trurit të cilat e kontrollojnë të folurit mund të shkaktojnë afazinë. Këtu përfshihen: tumoret e trurit, lëndimet traumatike të trurit dhe  çrregullimet.

Karriera e Bruce Willis

I lindur në vitin 1955 në Idar-Oberstein, në Gjermaninë Perëndimore, Willis u rrit në Nju Xhersi, ku familja e tij u shpërngul në fund të viteve 1950.

Edhe pse pasionin e tij për aktrimin e zbuloi gjatë studimeve, përpara se të afirmohej si aktor ai bëri disa punë, duke përfshirë shofer kamioni dhe banakier. Në vitin 1985 ai mori rolin e mashkullit kryesor në serialin televiziv “Moonlighting”, i cili i dha atij një Golden Globe dhe një çmim Emmy. Pas disa roleve të vogla filmike, Willis arriti famë ndërkombëtare duke luajtur rolin e policit John McClane në filmin “The Crystal Trap” (1988) dhe më pas në të gjithë kapitujt pasues të sagës së suksesshme Die Hard (që përfshin, në total, pesë filma; ku i fundit doli në vitin 2013).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë