Ka ndodhur

Vritet një shqiptar në Itali, ekzekutohet nga bashkëkombësi për qiranë

Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë në Itali pas një konflikti për qiranë e apartamentit, nga një bashkëkombës tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në Bari, ku sipas mediave italiane ka humbur jetën Santino Xhyra, i cili dyshohet se është qëlluar me tre plumba pistolete nga Shaban Fejzo.

Mësohet se viktima ka humbur jetën në spital pas plumbave të qitura në pjesën e kraharorit.

Hetimet e policisë italiane, të cilat u mbështetën në deklaratat e dëshmitarëve okularë dhe fqinjëve të viktimës, identifikuan shpejt autorin e dyshuar të vrasjes.

Autori i dyshuar ka pranuar fajin, duke rrëfyer se motivi ka qenë qiraja e apartamentit ku jetonte Santino Xhyra me një tjetër person.

Prej kohësh ata nuk paguanin qiranë dhe pronari i apartamentit, kishte kërkuar ndihmën e Fejzos, i cili kërkonte të transferohej për të jetuar në të njëjtën banesë.

Sipas ndërtimit të ngjarjes nga ana e policisë italiane, mes dy shqiptarëve ka pasur fillimisht dhunë fizike me grushte e shkelma, e më pas autori i krimit është larguar për t’u rikthyer me një pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë nga një largësi mjaft të afërt viktimën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë