Kosova

Vritet një nga sulmuesit e grupit të armatosur në Veri të Kosovës. KFOR: Gati të përgjigjemi nëse na kërkohet

Gazeta Si – Policia e Kosovës ka vrarë një nga kriminelët e grupit të armatosur prej më shumë se 30 personash që janë pozicionuar në veri të vendit.

Grupi kriminal i armatosur rëndë qëndron në manastirin e Banjskës. Ndërsa Policia e Kosovës i mban të rrethuar.

Kriminelët qëllojnë vazhdimisht në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u detyrua të kundërpërgjigjej me armë duke ekzekutuar njërin prej tyre. Lajmin e ka konfirmuar vetë Policia e Kosovës.

Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic.

Në një reagim zyrtar, KFOR thotë se Policia e Kosovës ka tagrin e parë për të reaguar në terren. Por nëse do të kërkohet ndihma e KFOR, këta të fundit thonë se janë të gatshëm të përgjigjen.

“Misioni i KFOR i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit.

Komandanti i KFOR qëndron në kontakt të afërt dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe BE-në, shefin e Forcave të Armatosura Serbe, me institucionet në Kosovë dhe po punon për të gjetur një zgjidhje. Policia e Kosovës, ka përgjegjësinë e para që të menaxhojë incidentet në terren.

KFOR po e monitoron nga afër situatën në Banjska, trupat e KFOR janë në zonë dhe të gatshme të përgjigjen nëse u kërkohet”, thuhet në reagimin e KFOR.

Disa minuta më parë Policia e Kosovës vrau një pjestar të grupit të armatosur që po qëndron në manastirin e Banjskës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë