Gazeta Si – Një 55-vjeçar me precedentë penal, i identifikuar si Nazmi Bandula, është ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:15, në lagjen “Partizani” shumë pranë banesës së viktimës, gjatë kohës që ishte duke pirë kafen e mëngjesit.
Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një mjet në lëvizje me xhama të zinj, ndërsa hetimet për motivet përfshijnë edhe të shkuarën e dyshuar të objektivit të atentatit.
Bandula sapo kishte dalë nga shtëpia për kafen e mëngjesit, pranë banesën së familjes në lagjen “Partizani”.
Ai ndodhej pranë këtij lokali kur u qëllua me breshëri arme zjarri dhe ndërroi jetë menjëherë pas plumbave që mori në trup.
Filxhanët e lëna në tavolinat e lokalit, tregojnë se krimi ndodhi në sy të personave të tjerë, që fatmirësisht i shpëtuan breshërisë së automatikut. Ndaj tij u qëllua 13 herë, ku 6 prej plumbave e kanë prekur në pjesën e sipërme të trupit.
Dëshmitarët thonë se autorët po lëviznin me një mjet tip “Mercedez Benz” me ngjyrë të bardhë dhe xhama të zinj.
Ata janë siguruar që të mos lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes, pasi të gjitha gëzhojat kanë rënë brenda mjetit të tyre.
Atentati është filmuar nga një kamera sigurie në distancë, e cila nuk ka ndihmuar shumë hetuesit për zbulimin e autorëve. Ndërkohë, 55-vjeçari është një person problematik dhe i skeduar nga policia në të shkuarën
Në dhjetor të vitit 2020, atij i vunë në eksploziv në makinë jo shumë larg vendit ku u ekzekutua, ngjarje që nuk u zbardh.
Po ashtu emri i Nazmi Bandulës ka qenë i përfolur nën zë edhe për përfshirje në shfrytëzim prostitucioni dhe vrasje. Në këto kushte hetimi për zbardhjen e krimit mësohet se do të shtrihet në disa pista.
Ndërsa në vitin 2012, ai ishte arrestuar pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilin e kishte kërcënuar me armë.
Bandula jetonte mes Shkodrës dhe Elbasanit, ndërsa edhe pse ishte i njohur për konflikte të së shkuarës, nuk ruhej asnjëherë dhe lëvizte lirshëm.
Dëshmitarët dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, pritet të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës dhe ndoshta identifikimin e autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




