Ka ndodhur

Vritet në Spanjë një 29-vjeçar shqiptar, në 2020-ën u kap në Vlorë gjatë një tentative për grabitje

Gazeta Si – Një i ri shqiptar ka ndërruar jetë në një spital në Spanjë pak ditë pasi dyshohet se ishte qëlluar me thikë në bark.

Bëhet fjalë për Endrit Sinaj, 29 vjeç, i cili sipas mediave spanjolle u la nga një person i panjohur në dyert e urgjencës së një spitali në Girona.

I riu kishte precedentë kriminalë që lidheshin me trafikimin e marijuanës dhe vjedhjeve të dhunshme në Spanjë dhe Shqipëri.

Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, Sinaj kishte vetëm pak ditë që ishte liruar me kusht, pasi ishte arrestuar si pjesë e një operacioni kundër trafikut të drogës në Marbella.

Mësohet se Sinaj u dërgua në spital nga një tjetër shqiptar. Ai u identifikua pasi autoritetet panë kamerat e sigurisë.

Megjithatë ky person i tretë nuk ka dhënë shumë informacione, pasi ka shpjeguar se e ka gjetur Sinajn të plagosur anash rrugës dhe e ka çuar në urgjencë.

Pasi u mor në pyetje dhe pasi u ushtrua një kontroll në shtëpinë e shqiptarit të tretë në Tordera, hetuesit dolën në përfundimin se nuk kishte lidhje me vrasjen.

Sinaj kishte qenë i arrestuar në tetor të vitit 2020 në qytetin e Vlorës pasi akuzohej për tentativë grabitje.

Mediat shkruajnë se ai është transportuar me një automjet nga një person që e ka lënë atë në hyrje të urgjencës dhe më pas është larguar.

Dyshohet se autori i vrasjes së ndodhur në datë 23 prill është një tjetër person nga Shqipëria, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

Në Shqipëri ai kishte qenë pjesë e një grup prej 5 personash të arrestuar në tetor të vitit 2020 në qytetin e Vlorës. Sinaj dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kishin hyrë një një banesë të veshur me kapuç, të armatosur dhe duke u shtirur si policë.

Për këtë ngjarje, Endrit Sinaj dhe një nga shokët e tij u liruan dhe u lanë me masën e sigurisë detyrim paraqitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë