Gazeta Si – Klajdi Prendi, 28-vjeç, djali i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Fran Prendi, humbi jetën si pasojë e një atentati me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së martës në zonën e Oxhakut në Tiranë. Policia thotë se 28-vjeçari ka qenë duke dalë nga një lokal dhe sapo ka hipur në makinën e tij është qëlluar nga autorët.
Mësohet se atentatorët kanë qenë duke e pritur të dilte nga lokali dhe me pas të ekzekutonin objektivin. Në ngjarje ata kanë përdorur armë me silenciator, ndërsa viktima Klajdi Prendi ka marrë plumba në kokë dhe gjoks.
I riu fillimisht mbeti i plagosur në vendngjarje dhe shokët me të cilët shoqërohej e dërguan me makinën e tij tip “Benz G Class” drejt Spitalit të Traumës, por nuk mundi dot t’i shpëtonte plagëve të marra.
Në automjet janë konstatuar disa plumba nga ana e shoferit dhe në xhamin e parë të saj. Policia pak minuta më vonë gjeti një makinë duke u djegur në zonën e Farkës, e cila dyshohet se është e ekzekutorëve të Klajdi Prendit.
28-vjecari është djali i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme, Fran Prendi, i cili pasi u njoftua për ngjarjen mbërriti në vendin ku iu bë atentat të birit.
Fran Prendi ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij si gjyqtar ne Gjykatën e Posaçme, ndërsa ka shërbyer më herët edhe si gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë ndërsa karrierën e tij e ka filluar në qytetin e Pukës.
Policia po heton në disa pista për zbardhjen e atentatit ndaj të riut ndërsa është në kërkim të ekzekutorëve të cilët dyshohet të jenë më shumë se dy.
Sipas burimeve paraprake nga policia, 28-vjeçari njihej si person problematik, por nuk ka patur konflikte të mëdha.
Kohët e fundit ai kishte disa sherre me persona të tjerë dhe pikërisht këto konflikte po hetohen nga policia.
Po ashtu ai nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe hetuesit po verifikojnë aktivitetin që ka kryer jashtë vendit.
Prendi rezulton si skeduar më herët nga ana e policisë, pasi gjatë zgjedhjeve të vitit të shkuar ka qëlluar me armë zjarri në ajër në zonën e Pukës.
Ky është atentati i dytë që trondit Tiranën në 4 ditët e fundit. Në 14 nëntor u ekzekutua me një plumb në kokë biznesmeni Eduart Reçi, në sheshpushimin e pallatit pronë të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.