Ka ndodhur

Vritet në lokalin e tij 74-vjeçari në Shkodër, i biri u kundërpërgjigj me armë

Gazeta Si – Një 74-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të mërkurës në fshatin Stom Golem në Shkodër.

Viktima është Lulash Qepuri 74 vjeç dhe policia thotë se ai është qëlluar me armë tip pitoletë, teksa ka qenë në lokalin e tij.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dy lloj gëzhojash dhe një armë tip kallashnikov në tokë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, ku pas telefonatës së djalit të 74-vjeçarit, blutë e Shkodrës janë vënë menjëherë në lëvizje. 

Kjo ngre dyshime se në këtë ngjarje është përfshirë edhe djali i viktimës, i cili dyshohet se i është kundërpërgjigjur autorit me një armë tip shotgun.

Autori ka qenë i maskuar dhe në momentin që i është afruar lokalit të Lulash Qepurit, ka hapur zjarr në drejtim të tij.

Kjo ka sjellë edhe reagimin e djalit të viktimës, i cili me të parë situatën, ka shkuar me shpejtësi brenda lokalit duke marrë armën, megjithatë ai nuk ka mundur ta neutralizojë atentatorin.

Menjëherë më pas, djali i viktimës ka hedhur armën në tokë dhe ka njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes, autoritetet kanë gjetur plot 26 gëzhoja.

Ai nuk ka mundur ta dallojë për shkak se ka qenë i maskuar, ndërsa ka mohuar që familja e tij të ketë konflikte me njeri.

Viktima fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Shkodrës por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve duke ndërruar jetë.

Megjithatë, ndër pistat kryesore mbetet e shkuara e viktimës.

Viktima në vitin 2011 ka qenë i arrestuar nga policia për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake në të gjetura në të njëjtin lokal në të cilën ai u qëllua.

Policia i ka sekuestruar në atë kohë një armë zjarri “Automatik mod.56”,  një armë zjarri tip Revolver shtatëshe, 262 copë fishekë të modeleve të ndryshme, fitila zjarr përcjellës, 111 copë kapsolla detonatorë, si dhe një qese prej 55 gram me fara të bimëve narkotike kanabis sativa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë