Ka ndodhur

Vritet në dhomën e gjumit 68-vjeçari në Mirditë, u qëllua me armë nga dritarja. Vajza e gjeti të vdekur pas 2 ditësh

Gazeta Si – Një 68-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda shtëpisë së tij në fshatin Lajthizë të Mirditës. Viktima është Frederik Radi, i cili dyshohet që të jetë qëlluar nga dritarja.

I ndjeri u gjet i pajetë nga vajza e tij e cila kishte shkuar në këtë banesë pasi i ati nuk po i përgjigjej prej 2 ditësh. Në shtëpinë ku ndodhi krimi, 68-vjeçari kalonte muajt e verës dhe nuk banonte aty gjatë vitit.

Sipas grupit hetimor të policisë, mendohet se 68-vjeçari u qëllua nga dritarja e dhomës ku flinte.

Deri në këto momente janë shoqëruar në komisariat disa banorë të këtij fshati.

Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat. 

“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. Radi ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin Frederik Radi, 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën”, njofton policia. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë