Ngjarje

Vritet me armë zjarri për pronën 34-vjeçari në Has. Konflikti nisi pasi motra e viktimës dhunoi prindërit e autorit

Gazeta Si – Një 34-vjeçar, i identifikuar si Ryshyt Sallahu, është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Pla të Hasit pasditen e kësaj të mërkure, ku ngjarja dyshohet se e ka zanafillën një ditë më parë pas përplasjes mes dy fiseve për motive pronësie.

Sipas asaj që njofton policia, autori është 41-vjeçari Ylber Jaku. Ai u arrestua pas ngjarjes dhe mësohet se është kthyer pikërisht sot nga Anglia në Has.

Viktima ka qenë në automjetin e tij në momentin e atentatit, duke shkaktuar edhe përplasjen me një kanal anësor të rrugës dhe më pas ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit.

Policia tha se ngjarja ka lidhje me konfliktin e raportuar një ditë më parë, ku dy bashkëshortë përfunduan në spital pas përleshjes për shkak të një sherri për pronat, teksa kishin nisur hetimet për të dyja palët.

Policia në vendngjarje

Sipas burimeve, motra e viktimës, goditi me shkop dhe dhunoi prindërit e autorit një ditë më parë. Këtë mëngjes, 7 maj 2025, autori 41-vjeçar, i bëri pritë afër banesës viktimës, duke u hakmarrë ndaj dhunës që pësuan prindërit e tij.

Sot policia e arrestoi 21-vjeçaren, motrën e viktimës, por konfliktin e la të hapur, duke mos e parandaluar ngjarjen tragjike.

Sipas dinamikës rezulton se A.Sallahi, pas konfliktit për pronësi, sulmoi çiftin e bashkëshortëve, që po mjekohen në spital dhe për motive hakmarrje dyshohet se sot i djali i tyre, ka sulmuar fatalisht me armë zjarri familjarin e autores së plagosjes së dyfishtë.

Konflikti, pohojnë banorët, ka zgjatur prej 20 vitesh, për shkak të pretendimit të pronësisë së një rruge. Policia dhe forca të shumta mbështetëse kanë shkuar në vendngjarje, duke kryer arrestimin e autorit dhe sekuestrimin e armës së krimit. Hetimet për krimin janë ende aktive dhe pritet të sqarohen rrethana të tjera.

“Rreth orës 16:40, është marrë njoftim se në fshatin Pla, shtetasi Y. J., 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. S., 34 vjeç, dyshohet për motive pronësie. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet Policisë, si dhe në mbështetje të Policisë lokale shkuan Forcat e Posaçme Shiqponja të DVP Kukës. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u bë kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur nga autori’, njoftoi sot policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë