Ka ndodhur

Vritet me armë zjarri një ish-punonjës policie në Kurbin. I biri i shpëtoi një atentati në gusht 2020 (Video)

Një ish-punonjës policie, Xhelal Reçi, 60 vjeç, është ekzekutuar me armë zjarri pranë bizneseve të tij në Kurbin mëngjesin e kësaj të hëne nga persona të panjohur, makina e të cilëve u gjet e djegur në Milot dhe që rezulton e vjedhur në Fier.

Ai ka tentuar të largohet në momentin kur është qëlluar, duke u futur në një rrugicë mes dy objekteve, por nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në vend.

Viktima, dikur punonjës policie, ka disa biznese në qytetin e Laçit. Prej vitit 2005, ai ushtronte aktivitet tregtar në qytet, duke menaxhuar një dyqan rrobash, ndërsa nga policia ishte larguar prej disa vitesh. Në 15 gusht të vitit 2020, djalit të Xhelal Reçit i kishin bërë atentat dy persona me motor.

Atentati ndaj djalit të ish-policit që u ekzekutua në Kurbin

Djali i viktimës udhëtonte me familjen e tij me makinë në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, kur dy atentatorët me motor iu afruan dhe qëlluan me armë në drejtim të tij. Por djali i Xhelal Reçit mundi të shpëtonte duke shtuar shpejtësinë e makinës dhe iu larguar autorëve. Plumbat e kanë tejshpuar mjetin, por fatmirësisht nuk kanë plagosur personat që ishin brenda. Atentati që ndodhi në mes të ditës dhe personat me motor e kishin ndjekur përreth 20 minuta mjetin.

Një nga pistat e hetimit, janë pikërisht konfliktet e vazhdueshme që dy djemtë e viktimës, B.Reçi., dhe E.G.Reçi., dyshohet se kanë me disa persona në Laç dhe Milot.

Rreth 15 persona janë shoqëruar nga policia pas vrasjes së Reçit. Burime pranë grupit hetimor, shprehet se të shoqëruarit janë persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, persona me precedent penal, si dhe të dyshuar me të cilët viktima apo të afërm të tij mund të kenë patur konflikte.

Ekzekutimi mendohet se është filmuar, ndaj dhe hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë. Analizimi i tyre do të ndihmojë për të ndërtuar dinamikën e ngjarjes, ndoshta edhe për të identifikuar autorët. Vrasja e Xhelal Reçit, shënon atentatin e radhës të kryer mes disa personazheve të botës së krimit në këtë zonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë