Ka ndodhur

Tronditet Tirana, një polic vritet me armë zjarri nga kolegu i tij brenda komisariatit Nr.3

Nga Gazeta Si - Një efektiv policie mbeti i vrarë me armë zjarri nga kolegu i tij mbrëmjen e të hënës në ambientet e Komisariatit Nr. 3 për motive që deri tani dyshohet të jenë banale.

Viktima është identifikuar si Çaush Saliasi, ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është Ludian Zaimi. Ky i fundit është ndaluar nga policia dhe autoritetet thonë se po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Nuk dihet ende se çfarë e bëri efektivin Zaimi që të qëllonte kolegun e tij.

Ndonëse efektivit veteran, që kishte 20 vite në polici, iu dha ndihma e parë, ai nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë në spital.

Efektivi i arrestuar tashmë, Ludian Zaimi kishte vetëm një vit e gjysmë që shërbente në radhët e efektivëve blu.

Policia thotë se në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për mediat.

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë Ludian Zaimi, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Çaush Saliasi, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Çaush Saliasi ka ndërruar jetë në spital.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar në mbrëmje edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Bresheri revolveri ne narkokomisariat! Polici i plagosur vdes ne spital! Shpreh ngushëllime familjes se viktimes dhe denoj gjendjen e rende ne narkokomesariate e narkoshtetit”, shkruante ndër të tjera Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë