Bota

Vriten 5 punonjës të Al Jazeera në Gaza, Izraeli pranon sulmin

Nga Gazeta ‘Si’- Pesë gazetarë të Al Jazeera-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë Spitalit Al-Shifa të Qytetit të Gazës.

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u godit, raportoi Al Jazeera.

“Vrasja e synuar” e të dielës ishte “një tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, shtoi më tej Al Jazeera.

Menjëherë pas sulmit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin shënjestruar Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.

Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim, shkruan BBC.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë