Vetëm një javë më parë ai debutoi me Juventusin në takimin e javës së fundit të Serie A ndaj Romës. Giacomo Vrioni hyri në lojë në minutën e 79-të, duke zëvendësuar Gonzalo Higuain dhe duke luajtur për rreth 12 minuta. Sulmuesi i talentuar shqiptar kurorëzoi një ëndërr të tijën, duke luajtur me kampionen e Italisë dhe duke marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut të nëntë radhazi për klubin e famshëm torinez.
Një kënaqësi e jashtëzakonshme për Vrionin, i cili njëkohësisht vendosi një rekord të veçantë, duke luajtur në tre kategori të ndryshme brenda një sezoni të vetëm. Përveç Serisë A, ai kishte luajtur më parë në Serie B dhe Serie C po këtë sezon.

E ardhmja duket e ndritur për 21-vjeçarin, i cili në tetor të vitit 2018 kishte debutuar me Kombëtaren A në ndeshjen ndaj Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në intervistën e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Vrioni tregon për debutimin me Juventusin, objektivat për të ardhmen e deri te thirrja në Kombëtaren shqiptare.
Fillimet – Që në moshë fare të vogël e kam pasur gjithmonë këtë pasion, i transmetuar tek unë nga im atë. Kam filluar duke luajtur me shokët e mi në rrugë, më pas erdhi shkolla e parë e futbollit dhe për të vazhduar me ekipet e moshave në Matelica, skuadër e qytetit tim, ku aktualisht luan edhe vëllai im. Me kalimin e kohës pasioni është transformuar në një punë të bukur.

Juventus – Ka qenë një emocion i papërshkrueshëm, kurorëzimi i një ëndrre. Kur më kanë thirrur për të hyrë në fushë nuk po përmbahesha nga emocionet dhe kisha një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Sapo zbrita në fushën e lojës, ndërkohë, kam menduar të bëj më të mirën për të ndihmuar skuadrën.
Kombëtarja – Grumbullimi im i parë në skuadrën Kombëtare A ka qenë për mua pa asnjë diskutim një motiv i madh krenarie, kurorëzimi i një rrugëtimi që kishte filluar me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë, me të cilën kisha shënuar gol edhe në debutim. Kam pasur fatin të debutoj me skuadrën e parë në ndeshjen e Ligës së Kombeve në Izrael, një moment që do ta kujtoj përgjithmonë.

Më duhet të them që jam pritur menjëherë shumë mirë nga shokët e skuadrës në ekipin Kombëtar dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, bëhet fjalë për një grup shumë të bashkuar. Kam pasur mundësi të njihem me trajnerin Reja, dëgjohemi shpesh në telefon. Është një trajner ekspert dhe beson tek unë.
E ardhmja– Objektivi është ai për të shkuar sa më larg të jetë e mundur, si në nivel klubi ashtu edhe me fanellën e skuadrës Kombëtare. Për mua është një nder të luaj me Juventusin dhe të përfaqësoj Shqipërinë dhe do të bëj gjithçka është e mundur për të shpërblyer besimin e atyre njerëzve, të cilët më kanë mbështetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



