Kombetarja

Vrioni entuziast: Dua të shënoj për Shqipërinë, jemi ekip i fortë

Gazeta Si – Sulmuesi Xhakomo Vrioni dhe mbrojtësi Frederik Veseli kishin radhën për të dalë para gazetarëve. Dy lojtarët e Kombëtares kanë folur me entuziazëm në prag të dy ndesheve të Ligës së Kombeve me Islandën dhe Izraelin.

Vrioni, autor i 19 golave në kampionatin austriak me Tirolin, shpreson të shënojë edhe me fanellën kuqezi. Ai ka një vlerësim maksimal për grupin e lojtarëve që ka aktualisht Kombëtarja.

Xhakomo Vrioni. Gazeta Si, 1 qershor 2022

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Janë dy skuadra në nivelin tonë dhe sigurisht do të luajmë për tri pikët në çdo ndeshje dhe për vendin e parë. Atmosfera është shumë e mirë, jemi të përqendruar te ndeshja e parë.

Titullar? E di trajneri. Unë di që duhet të punoj. Ndonëse kalova një sezon të rëndësishëm, zgjedhjet i bën trajneri. Nëse ai më jep mundësinë, është normale të synoj të shënoj. Çdo sulmues kërkon golat. Do ta provoj ta kaloj Salihin edhe në kombëtare, sigurisht.

Në Kombëtare është normale konkurrenca, vijnë lojtarët që janë më në formë. Duhet të mendojmë vetëm të bëjmë mirë në stërvitje dhe pastaj zgjedhjet i bën trajneri.

Të gjitha repartet janë të forta, kemi lojtarë që po luajnë. Lojtarë që luajnë në Ligën e Kampioneve, në Ligën e Europës, Kumbulla fitoi Ligën e Konferencës. Pika më e fortë e ekipit është grupi.

Në Ligën e Kombeve nuk ka ekipe më të forta, janë të gjithë në nivelin tonë. E ardhmja? Nuk kam folur për gjëra konkrete. Jam përqendruar me Kombëtaren, pastaj do të shoh çfarë do të bëjmë”, – u shpreh Vrioni.

Pas tij foli Frederik Veseli, i cili theksoi: “Do jenë ndeshje të vështira. Ne nisemi si favoritë për të fituar grupin, por të shohim çfarë mendojnë ekipet e tjera. Kemi vullnetin për të fituar, jo 100%, por 200%.

Mbrojtja e përgatitur në Itali është gjë e mirë, pasi ky vend ka nxjerrë mbrojtës të njohur. Do të bëjmë detyrën në mbrojtje, pastaj mbetet të shënojë Vrioni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë