Nga Gazeta Si- Është arrestuar në Liban 49-vjeçari palestinez i cili akuzohet se vrau me mjet prerës, vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.
“Nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, Fadi Alwan 49 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se Fadi Alwan, në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij Rayan Alwan.
Vajza palestineze u gjet e vrarë në një banesë të marrë me qira në kryeqytet në muajin shkurt të këtij viti.
Fillimisht u dyshua se autor ishte bashkëjetuesi i saj, 25 vite më i madh në moshë. Por më pas të dhënave që policia shqiptare siguroi nga homologët rezultoi se 24-vjeçarja u vra nga babai i saj, i cili u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Fati dhe Rayyan Alwan mbërritën në Shqipëri më 19 shkurt dhe në Rinas 49-vjeçari u prezantua se kishte ardhur në Tiranë si turist me partneren e tij.
Prenotimi i biletave për të ardhur në vendin tonë është bërë disa orë para udhëtimit dhe sapo shkelën në tokën shqiptare iu drejtuan banesës që kishin marrë me qira në rrugën “Gjon Muzaka”. Natën e parë ata kanë fjetur në katin e parë të banesës 3-katëshe, dhe më pas me pretendimin se nuk u ka pëlqyer dhoma, më datë 20 kanë qëndruar në katin e tretë të vilës, aty ku ndodhi edhe krimi makabër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.