Gazeta Si – Aurelio Valiante, sipërmarrësi 60-vjeçar nga Foria di Centola, në Cilento në provincën e Salernos, i cili qëlloi një bandë hajdutësh shqiptarë që kishin hyrë në shtëpinë e tij natën midis të dielës dhe të hënës, është transferuar në një vend të mbrojtur, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij.
Ai vrau njërin prej tyre, Rivaldo Rusi, 26 vjeç dhe plagosi rëndë një të dytë, një 20-vjeçar të shtruar në spitalin Cardarelli në Napoli.
Nuk është ende e qartë nëse sipërmarrësi, me ndihmën e një bashkëpunëtori, e kishte futur trupin e shqiptarit në një vaskë vere dhe e kishte fshehur më pas në një zonë rurale.
Masa u mor nga frika e hakmarrjes ndaj 60-vjeçarit dhe familjes së tij. Natën pas të shtënave, rreth 30 shqiptarë ishin mbledhur jashtë shtëpisë së tij, me shumë mundësi miq dhe të afërm të hajdutëve, të cilët donin hakmarrje.
Që atëherë, një shërbim patrullimi i Karabinierëve ishte ngritur pranë shtëpisë së italianit.
Tani është marrë vendimi për të transferuar Valianten dhe familjen e tij në një vend të mbrojtur.
Biznesmeni po hetohet për vrasje dhe fshehje të një kufome, por ndaj tij nuk janë urdhëruar masa paraprake.
I mbrojtur nga avokati Antonello Natale, ai zgjodhi të bashkëpunonte me hetuesit duke rrëfyer në detaje se çfarë ndodhi.
Marrja në pyetje, e cila u zhvillua në prani të Prokurorit Publik të Vallo della Lucania, Francesco Rotondo, zgjati mbi njëmbëdhjetë orë. Edhe i plagosuri që ndodhet në spital, po hetohet për tentativën e grabitjes.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të rindërtuar dinamikën e saktë të ngjarjeve dhe, mbi të gjitha, për të kuptuar se si ndodhën të shtënat.
Ndërkohë, priten edhe rezultatet e gjetjeve të Karabinierëve dhe autopsia mbi trupin e Rusit, që i shtë besuar mjekut ligjor Francesco Lombardo.
Kërkimet janë gjithashtu duke u zhvilluar për bashkëpunëtorin e tretë, i cili u arratis pas tentativës së vjedhjes në vilë.
Incidenti e ka rikthyer vëmendjen edhe te problemi i sigurisë në zonat rurale të Cilentos, ku bandat e hajdutëve kanë kohë që grabisin shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.