Ngjarje

Vrau shokun në Shkodër, 15-vjeçari dëshmon në polici: E godita me thikën e tij

Nga Gazeta Si- Disa detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e të hënës në Shkodër, ku një 15 vjeçar Emiljano Gjoni mbeti i vrarë nga bashkëmoshatari i tij.

Mësohet se 15-vjeçari është qëlluar vetëm një herë me thikë në zemër, ndërsa ka pësuar hemorragji duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij në spitalin rajonal të Shkodrës pasi u dërgua nga një qytetar i rastësishëm.

Ndërkohë, policia vendore e Shkodrës ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë, shtetasin K. K., 15 vjeç, të dy bashkëmoshatar me njëri-tjetrin. Viktima dhe autori frekuentonin të njëjtën shkollë, teksa ishin në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.

Ajo që dyshon policia është se dy të miturit mund të kenë patur konflikt të mëparshëm duke qenë se ishin në të njëjtën shkollë, konflikt i cili përfundoi më pas me ngjarjen fatale. Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e autorit të dyshuar, i cili ka deklaruar se viktima e ka goditur me thikë në sup dhe për t’u vetëmbrojtur thikën e cila ka rënë në tokë e ka marrë dhe më pas e ka qëlluar sipas tij me idenë për ta plagosur.

“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më parë dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja”, është deklarata e dhënë e 15-vjeçarit, i cili u pyet në praninë e psikologut dhe avokatit për shkak të moshës së tij si i mitur.

Policia në vendngjarje ka gjetur thikën me të cilën ndodhi plagosja e rëndë me pasojë vrasjen duke e sekuestruar në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë