Gjykata e Apelit ka dënuar me 13 vjet e katër muaj burg Noel Dishin, autorin e vrasjes së Vilson Tafçiut. Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali në zonën e Astirit në Tiranë në janar të vitit 2020, ku Dishi ekzekutoi me armë zjarri Tafçiun.
Gjykata e Tiranës fillimisht dënoi me 16 vite burg autorin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 10 vjet e 6 muaj burg.
Por këtë të enjte, Apeli, në seancën e zhvilluar ka dhënë një dënim prej 20 vitesh burg për autorin, ndërsa me uljen 1/3 së dënimit ai do të kryejë 13 vjet e 4 muaj burgim.
Vrasja ka ndodhur pas një grindjeje të çastit, por dyshohet se mes autorit dhe viktimës ka pasur konflikte edhe për pazare droge.
Dishi, i njohur dhe me emrat Noel Kolaveri dhe Miklovan Prifti fajësohet për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në seancat e kaluara, Dishi ka treguar se pak orë para se të ndodhte vrasja, gjendej në Prokurorinë e Durrësit, ku u mor në pyetje për një rrëmbim të ndodhur ndaj tij dy vite e gjysmë më parë, por që më pas është lënë i lirë.
Pas dëshmisë, është telefonuar nga shoku i tij Vilson Tafçiu dhe e kanë lënë të takohen në “Astir” për të sqaruar për një konflikt të nisur mes tyre në Francë.
Mes shokëve ka lindur një debat, ndërsa viktima e ka kërcënuar se do ta mbyllte në bagazhin e makinës dhe do ia bënte me keq se ata persona që e rrëmbyen dikur.
Në këtë moment, Dishi e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë marrjes në pyetje në polici pasi u dorëzua, i riu pranoi krimin duke shprehur pendesë.
Vilson Tafçiu u vra mbrëmjen e 20 janarit në një lokal të frekuentuar të zonës së “Astirit” në kryeqytet. Mësohet se ai ishte arrestuar për trafik droge në mars të vitit 2018 në Francë dhe kishte qëndruar në paraburgim për 8 muaj. Pastaj ishte deportuar drejt Shqipërisë në nëntor të vitit 2019. Përveç Francës ai ka jetuar edhe në Belgjikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




