Ngjarje

Vrau 42-vjeçarin për kalin, autori: I thashë mos e prek, por më shau! Familjarët e viktimës e mohojnë

Nga Gazeta Si- Autori i vrasjes së 42-vjeçarit Keli Hoxha në Berat ka thënë se viktima e ka sharë, pasi ky i ka thënë të mos e prekë kalin.

63-vjeçari Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha) ,pasi ka parë viktimën që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më, pasi sipas pretendimeve të tij kali nuk ishte mirë dhe i acaruar.

“Mos e prek kalin se është i acaruar sot”, citohet të ketë thënë autori i krimit.

Autori i ngjarjes ka dëshmuar në polici se pasi i ka thënë kështu, viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar. Në gjaknxehtësi e sipër, ai thotë se nxori thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e goditi.

63-vjeçari shton gjithashtu se pas krimit ka shkuar në banesë, ka lënë kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, për ti shpëtuar policisë.

Ndërkohë nga ana e tyre, familjarët e viktimës, kanë dëshmuar para bluve se sherri filloi vetëm pse viktima i kishte prekur kalin me dorë.

Ata kanë hedhur poshtë pretendimet se familjari i tyre e ka sharë dhe ofenduar, por pronari i kalit e ka qëlluar me thikë papritur ,pasi i kishte thënë “mos e prek kalin” dhe viktima i ishte përgjigjur “s’ka asgjë të keqe”.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme në Berat.

Autori u kap disa orë më vonë, i fshehur në “Shpellën e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë