Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës, ka mbyllur hetimet dhe dërgoi në gjyq dosjen ndaj Darment Kelit, i cili vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin në gusht 2024 në zonën e Astirit, pasi viktima i ngacmoi të fejuarën.
E gjithë ngjarja nisi kur Hoxhallari dhe miku i tij, A.M., dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë, veprim ky që u pa nga ballkoni nga Keli, i cili më pas u konfliktua me dy personat.
Në konflikt e sipër, ai qëlloi disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit Hoxhallarin, duke i shkaktuar më pas atij vdekjen.
Sipas hetimeve, Keli ka pranuar se dy personat në fjalë ngacmuan të fejuarën e tij, e cila ishte nisur të takonte një të afërmen e saj dhe pasi e pa tërë skenën nga ballkoni, ai zbriti duke marrë me vete edhe një thikë, teksa pranoi se në konflikt e sipër e goditi disa herë në krah dhe në pjesën e barkut.
Për këtë arsye, ndaj Kelit rëndon vepra penale e “vrasjes me dashje”. Hoxhallari u dërgua fillimisht në spital në gjendje të rëndë, por aty gjeti vdekjen vetëm pak kohë më pas. Edhe autori në fillim u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë.
Në fakt, viktima Amarildo Hoxhallari rezultonte person me precedentë penalë. Në vitin 2015, kur ishte 25-vjeç, ai u arrestua së bashku kushëririn e tij Aurel Hoxhallari për një tentativë vrasje, ku mbetën të plagosur 2 persona në një lokal në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Bëhet fjalë për atentatin e dështuar ndaj Pajtim Serjanit, mik i Emiljano Shullazit dhe plagosjen e policit Roland Meta.
Ndërsa kushëriri i tij, Aurel Hoxhallari, i arrestuar në atë kohë për këtë ngjarje, u dënua me burgim të përjetshëm një vit më parë nga Gjykata e Posaçme, si porositës i vrasjes së Devi Kasmit, krim i ndodhur më 29 janar 2018 në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.